“Merr pushtetin në Tiranë, ne mbajmë Enverin dhe Ramizin në Moskë”, dhëndri i Kadri Hazbiut tregon në Exclusive udhëzimin e sovjetikëve për Beqir Ballukun

Shqipëria është një nga ato pak vende ku komunizmi hodhi rrënjë të thella dhe u rrit nën tensionin e pashembullt të një sistemi të egër e të pamëshirshëm politik fund e krye.
Ky regjim e izoloi Shqipërinë për gati 50 vite nga pjesa tjetër e botës, nga bota perëndimore.
Agron Aranitasi, dhëndri i Kadri Hazbiut, ish-ministri i brendshëm në fillim të viteve ’80, rrëfen të vërtetat e tij mbi historitë famëkeqe në bllokun komunist. Edhe pse pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Enver Hoxha e shpalli si Kryeministrin e ri Kadri Hazbiun, një nga njerëzit më të besuar të regjimit komunist, ai u mënjanua shpejt, u përbalt dhe u arrestua, derisa u vra në qelinë e tij.
Pyetje: Kush je ti Agron Aranitasi? Dhe më trego pak për jetën tënde… çfarë të lidh me poetin Fatos Arapi dhe familjen e tij?
Agron Aranitasi: Prindërit e mi kanë marrë pjesë aktive në Luftën Nacional-Çlirimtare dhe pas çlirimit të vendit u përfshinë në strukturat e reja shtetërore. Mamaja ime vjen nga një familje patriotësh të Vlorës. Gjyshi im është një nga themeluesit e Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare. Ai ishte ortodoks, por nuk pranonte kishën greke dhe bënte pjesë në ata që quheshin ortodoksë uniatë.
Ajo vinte nga familja Arapi. Vëllai i madh i mamasë dhe i Fatosit ka qenë një nga partizanët e parë të Vlorës, por dezertoi në maj të 1944. Fatos Arapi është daja im. Për këtë arsye, në periudhën e Koçi Xoxes, familja jonë shihej me dyshim.
Unë kam punuar gjithë jetën në fushën e televizionit, që nga janari i vitit 1970 në Radio Televizionin Shqiptar.
Pyetje: Si hyre në bllok? Në çfarë viti u bëre pjesë e tij?
Agron Aranitasi: Shtëpia ku banonte Kadri Hazbiu ishte aty ku sot është Piramida. U njoha dhe u dashurova me vajzën e tij të dytë, Mozën. U fejuam dhe më pas u martuam. Kur u fejuam, Enver Hoxha tha: “këto fejesa i do partia”. Pas 8 vjetësh, ai shkatërroi jo vetëm familjen time, por edhe familje të tjera me kontribute në luftë dhe në punë.
Pyetje: Në fillim të viteve ’70 kishte nisur një “gjueti shtrigash” brenda bllokut… Çfarë ishte kjo histori e vetëpastrimit?
Agron Aranitasi: Filloi me Sejfulla Malëshovën, një nga njerëzit më të kulturuar të partisë. Ai kishte ardhur nga Bashkimi Sovjetik dhe u jepte mësim ideologjie atyre që më vonë u bënë anëtarë të Byrosë.
Pastaj vazhdoi me Liri Gegën dhe Dali Ndreun.
Nako Spiru u eliminua një vit para Koçi Xoxes dhe vrau veten.
Më pas vjen historia e Tuk Jakovës, që ishte sekretar i dytë dhe u dënua bashkë me Bedri Spahiun.
Pastaj erdhi dënimi i Liri Belishovës. Në këto raste kishte rol edhe Mehmet Shehu.
Pyetje: Flasim për Beqir Ballukun…
Agron Aranitasi: Ai ishte ministër i mbrojtjes dhe pjesë e treshes drejtuese. Në vendet socialiste, ndryshimi i pushtetit shpesh bëhej përmes ushtrisë.
Gjatë një mbledhjeje në Moskë, ndodhi përplasje me udhëheqjen sovjetike. Bashkimi Sovjetik i propozoi Beqir Ballukut të merrte pushtetin, ndërsa udhëheqësit e tjerë do të qëndronin në Moskë.
Ai refuzoi dhe tha se pa kthimin e tyre, nuk do të pranohej kjo gjë.
Pyetje: Pra ishte besnik?
Agron Aranitasi: Po, ishte besnik. Edhe në kujtimet e mëvonshme është përmendur si i tillë.
Viti 1974 ishte kyç, sepse aty nisën edhe krisjet me Kinën. Edhe pse ndarja zyrtare erdhi në 1978, sinjalet kishin filluar më herët.











