Vrasja e 44-vjeçarit në Sarandë/ Artan Myrtaj tentoi të largohej me vrap, autori e qëllon disa herë! (Video)

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë zbardhur detaje të reja nga atentati që i mori jetën Artan Myrtajt, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”, mëngjesin e 20 shtatorit, në zonën e ish-Agjencisë në Sarandë.
Nga pamjet e sekuestruara për hetimin, Myrtaj shihet teksa del nga një lokal, ndërsa një person i veshur me të zeza dhe me skafandër në kokë i afrohet dhe tenton të hapë zjarr ndaj tij.
Sipas të dhënave të deritanishme, autori ka përdorur fillimisht një pistoletë të pajisur me silenciator, por dyshohet se arma është bllokuar.
Në këto momente, Myrtaj ka tentuar të largohet me vrap. Sulmuesi e ka ndjekur dhe ka përdorur një armë të dytë që mbante në dorën e djathtë, duke qëlluar ndaj tij. Viktima është goditur për vdekje vetëm pak metra më tutje.
Pas atentatit, autori është larguar me një motor, ku dyshohet se e priste një person tjetër që e ka ndihmuar të largohej nga vendngjarja. Motori që është përdorur nga autorët rezulton se mbante targa greke.
Sipas hetuesve, dy personat e dyshuar janë larguar nga Saranda në drejtim të aksit të Konispolit. Një nga pistat që po verifikohet është mundësia që, pasi janë larguar nga zona e krimit, autorët të kenë kaluar ilegalisht kufirin dhe të jenë arratisur drejt Greqisë. Kjo mbetet në nivelin e dyshimeve të hetimit dhe ende nuk është konfirmuar zyrtarisht si itinerari përfundimtar i tyre.
Në atentat mbeti i plagosur edhe një 73-vjeçar, i cili ndodhej rastësisht në zonë në momentin e të shtënave. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e motivit të vrasjes.











