Videot intime në rrjet, reagon për herë të parë Eli Fara: Nuk kam pse të turpërohem!

Këngëtarja Eli Fara ka reaguar publikisht pas shpërndarjes në rrjetet sociale të videove intime ku shprehet se po përballet me cenimin e privatësisë dhe gjykime. Në një reagim të gjatë, Fara thotë se pas një jete në skenë po përjeton një situatë që nuk ia uron asnjë gruaje.
“Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurinë për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shkruan ajo.
Këngëtarja ndalet edhe te mënyra se si, shoqëria i trajton gratë kur publikohen materiale private pa pëlqimin e tyre. Ajo kundërshton vendosjen e përgjegjësisë mbi personin, privatësia e të cilit është cenuar.
“Në këtë shoqëri, grave u kërkohet shpesh të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre. U cenohet privatësia dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari”, shkruan Fara.
Në pjesën tjetër të reagimit, këngëtarja thotë se publikimi i momenteve private pa dijeninë dhe pëlqimin e personit nuk mund të justifikohet me faktin se bëhet fjalë për një figurë publike.
“Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu”, deklaron ajo.
Fara thekson se statusi i saj si artiste nuk ia heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet, duke shtuar se të njëjtën të drejtë e ka çdo grua, pavarësisht profesionit apo zgjedhjeve personale.Këngëtarja njofton gjithashtu se nuk do ta trajtojë më publikisht çështjen, por do t’ia kalojë atë institucioneve të drejtësisë.
“Këtë çështje do t’ia lë në dorë drejtësisë. Nga publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes. Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, shkruan Eli Fara.
Në fund, ajo falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe publikun që e kanë mbështetur, ndërsa deklaron se do të marrë kohën që i nevojitet dhe më pas do të vazhdojë përpara.














