“Vrasje për herë të dytë”/ Autorit që vrau policin në Fier iu hoq burgimi i përjetshëm, flet babai i viktimës: Drejtësia të vihet në vend

Pas vendimit të gjykatës për zbutjen e dënimit për autorin e vrasjes së oficerit të policisë në Fier, Novruz Cenalia, ka reaguar babai i viktimës.
Në një intervistë, Asllan Cenalia thotë se vendimi ishte “vrasje për herë të dytë”, ndërsa thekson se do ta ankimojë atë në Gjykatën e Lartë.
“Vendimi është i papritur për mua si prind. Si punonjës policie nuk e prisja atë vendim, por shpresoj te drejtësia deri në fund. Vendimi është vrasje e dytë për mua, çfarë të them? Do vazhdojmë rrugët ligjore, jam punonjës policie, zbatimin e ligjit. Nuk ka më të rëndë se ajo që na ndodhi, por do mundohemi ta përballojmë. Do ta çojmë vendimin në Gjykatën e Lartë, shpresoj që do të vihet drejtësia në vend. Ia kam lënë drejtësisë, të bëjë punën e saj” – u shpreh babai i policit të ndjerë.
Novruz Cenalia u vra nga Azgan Mernica më 13 maj 2024, në fshatin Baltëz të Fierit, pas një sherri për motive të dobëta. Së fundmi, gjykata ka zbutur dënimin për autorin, nga burgim i përjetshëm në 35 vite heqje lirie.











