“Nga vjershëtori Tërmet, te bekimet fetaro-gracioze të Tonit”, satira e Gjekmarkajt: Ulsiu zgërdhihej, Albini ka zëra se po na merr…

Kronika emocionohet nga thagmat gjatë Pashkës!
E çdo të ishte qejfi ynë pa Tezen?! Hiçmosgjë do të qe! Do gdhiheshim si qyqarë e do erreshim si derdimenë! Ajo na kthen misterin e kohës, gëzimin e së qeshurës, pikëllimin e nënshtrimit, të cilin nuk e di pse, duke lexuar Kronikën, kopjuesi i njohur, robi i humbur Abdullah, e lexoi mashtrim, shpresën e përjetësisë!
Tezja ditën e Pashkëve na uroi Krishtlindjen!!! Disa ia dhanë kukurimës e hokave se gjasme ajo paskësh roitur e lëshuar pëllumbat, por nuk na duket kështu!
Ajo e ka bërë me dashje, që Babo të qeshë në këto ditë të ngrysura dhe të mos ketë asnjë dyshim për peshëlehtësinë e mendjes së saj, mjet ky për ta mbajtur sa më gjatë karrigen, bashkë me cilësi të tjera të vyera! Se ca kohë hapën fjalë se gjoja qenkesh e vetmja ish intelektuale në një qeveri me dordomuzë dhe kjo i prishte shumë punë, ndaj shpejtoi të shuante çdo dyshim!! Ia doli e uruara!
Për këtë gjest mori lëvdatat, bekimet fetaro-gracioze, dhimbjen e nuk e di nga ç’sokak, si shok i sekreteve e zemërndjeshëm! Dikush nënqeshi nën hundë dhe diçka fshihte nën dorë.
Vetëm Ulësia zgërdhihej me ligësi verdho-kaltëruese, si për të na thënë: e shihni more, na plaçin sytë, ku kemi mbërritur?!
Tao, në gjoksin e të cilit Babua var një sërë xhingla-minglash llamarino-kartoni, mjaft që ta lërë jashtë Dovletit, e ka shpallur veten drejtues i Tiranës, Kont i Çermenikës, shenjtor i Kombëtares, bard i Mokrës, zëdhënës i diasporës, mejtoi të shfaqej andej nga Kamza bashkë me Kipe Sulin dhe t’i nxirrte nga prapambetja drejt e në selamet! Aferim!
Madje, për të përgënjeshtruar pandehmën se Babua nuk i honeps fshatarët, u shfaqën të dy tok, veshur tebdil, plot zulme e potere! Fliste Tao dhe Kipja i buzëqeshte kamerës ëmbël, nga pas si firaun!
“Jemi që jemi,” thanë, “të bëjmë pak muhabet me Anxhela Merkelin, se helbete kallkan andej nga Nemcje e ndien vetmi!”
Me bujarinë që e karakterizon nga fejsbuku i vet, e pyeti si është me shëndet, a e therrin kyçet nga lagështira, e je që je si e ngeshme, eja nga Kamza, yndyra e Europës, që po shkëlqen më shumë se Berlini.
Me ftesën e tij dhe të Kipes që do mbulonte harxhet, pastaj u kujtuan në fund edhe për Babon si përforcim e solemnitet: po i doli nge të pret ai, po ti eja!
Edhe pse i metë, ministër, Tao hyzmeqar mbeti! Madje dhe disa e shohin nga lart tanimë! Dikush kishte pyetur: kush është ky xhaxhua që bën si i rëndësishëm?!
Po kaq, si zogu që me sqep çukit dhe thyen vezën dhe përvidhet në lëndinë, ashtu vetë Festimi, Veziri i Jashtëm, u shfaq në një intervistë!
Qerratai, ndonëse fliste si i lebetitur e me spazma që zgjateshin e tëholloheshin në hukama, shfaqej si delirant i madh, aq sa para tij Mbreti Diell do të dukej axhami, zullap e piskuriq!!
“Unë… unë e hapa… unë… unë… e vazhdoi… unë more unë e mbylli”, 36 vite diplomaci i bëri qepaze, se ato të dikaturës e të Zogut nuk vihen në hesap!
Eh të zinjtë ambasadorë që e kanë patur koleg ç’do heqin, se Festimua e shfaqi veten kadi e shkuar kadiut, gjykatës suprem, si biçim i diplomacisë!
Nuk tha kot Bajroni: “nuk ka padron më të keq se një skllav të liruar nga zinxhirët” dhe Festimi, në çdo ndërrim pushteti, rrëfejnë se u ngjitej fituesve, duke u thënë shyqyr që erdhët ju se isha bërë gati të vrisja veten nga ky obskurantizëm.
Tani si sublim, unik, si i drejti, i duhuri, zanatçiu, mjeshtri, sqimatari, pa ligj e rregulla, po veç me shijet e veta prej dendi, do i prekë me dorë si bujku shalqinin dhe do u thotë diplomatëve: ti bën, ti nuk bën, ti je i pjekur, ti je i papjekur.
Pastaj do dalë vetë në tregun e gjësë së gjallë e do blejë ç’i nevojitet: zahire, bulmet, putarga, saraga, mish thiu, gjithçka i duhet një diplomacie alla frengu!
Eh more Festim, siç erdhe pa e kuptuar, do ikësh po ashtu, pak më i tronditur nga befasia!
Babua, i cili me modestinë që ai e ka çmoskurrkush, u shpreh se veç me Kadarenë ndihej i barabartë në lëvrimin e shqipes; të tjerët as i begenis, i duken leshko e birbo.
Braçja, që i do disa, po më shumë do të vërtetën, e do edhe veten, në një konfuzion biblik mes dëshirës dhe pasigurisë, krenarisë dhe rrezikut, po këlthet për rreziqet e autoritarizmit!
Braçja i vogël kundër Babos së madh! Davidi kundër Golisë!
Yy, t’u thaftë goja, na qenkësh Babua autoritar! Rri more i uruar se me ato duar do të të rrjepin! Të tjerë do të përfundojnë në hell, që mishi të piqet e helli i Partisë të mos digjet! Të tjerë do marrin marramendje!
Uf, bëëërrrr, si do i ngjethen mishtë dikujt kur të shohë atë skenë për ibret e hukubet! Dhimbja do e kryqëzojë të gjithën brenda një kostumi të sapo blerë!
Mamica, tashmë pa fron e kishë, të rrëmbyera nga vëllai në atë furi epike, ka filluar palestrën e realitetit!
Rrobat arbërore ia dogji në një zjarr ideologjik ministrja e re! Faqet po i vijnë në fe se s’ka kush ia cimbis!
Zërat se po na e merr dikush e do na lërë jetim e batall janë shtuar!!!
Shyqyr që s’e di dikush tjetër se na mbyll doganën e bëhet hataja mes shqiptarësh, një zezonë kombëtare!
Ata që vijnë me tirq, plisa e tupan, për ta marrë me fustanella e xhoka e sfurq, për të mos e dhënë! Pakogjë qe ajo e Helenës së Trojës para kësaj gjëme!
Dikush do nxjerrë tanket, raketat mbi male! Kronika do vajtojë si Ajkuna Omerin për boshin që do t’i lërë.
Disa do trishtohen, disa do pikëllohen lehtë!
Dikush do kërkojë Qeveri të Unitetit Kombëtar për të përballuar gjëmën! Dikush tjetër do urojë: vaftë e mos u ktheftë!
Një tjetër: u kthefsha e mos të gjetça!
Dikush mejtohej: ehhh sa mirë që ajo republikë e vogël, por e mbledhur, aty të bëhesha kryetar e merrja dhe shokun tim të pandarë!
Ç’më duhen mua kaq avaze e maraze, mes njërit e tjetrit, si Odiseu mes Shilës e Karibdës!
Prandaj, duku, mos vono!











