Shqipëria kalon mesataren e BE për diplomimin e të rinjve, por profesionistët po largohen
Në vitin 2023, 43.2% e shqiptarëve 25–34 vjeç kishin mbaruar arsimin e lartë, pak mbi mesataren e BE-së. Megjithatë, paga dhe mundësitë më të mira në vende si Italia e Gjermania po tërheqin profesionistët shqiptarë.

Të dhënat e Censit 2023 të INSTAT tregojnë se 43.2% e shqiptarëve të moshës 25–34 vjeç kanë përfunduar arsimin terciar, duke e vendosur Shqipërinë pak mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 43.1% për të njëjtin vit, sipas Eurostat.
Krahasimi me BE-në dhe rajonin
Dallimi është i vogël, por Shqipëria renditet më mirë se një sërë vendesh anëtare dhe dukshëm mbi shumicën e rajonit. Italia shënoi 30.6% në vitin 2023, ndërsa Gjermania 37.9%. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia arriti 34.7%, Maqedonia e Veriut 32.3% dhe Bosnja e Hercegovina 26.6%. Për Malin e Zi, e dhëna më e fundit e krahasueshme i përket vitit 2020 me 40%.
Ndër shtetet europiane me raportin më të lartë në vitin 2023 ishin Irlanda (62.7%), Qipro (61.7%) dhe Luksemburgu (60.2%). Në fund të renditjes ishin Rumania (22.5%), Bosnja e Hercegovina (26.6%) dhe Hungaria (30.1%), ndërsa Italia me 30.6% mbetet gjithashtu ndër më të ultat. Shqipëria rezulton mbi Austrinë, Portugalinë, Slloveninë, Kroacinë dhe Bullgarinë për këtë tregues.
Diploma kemi, por jo të njëjtat shanse
Megjithëse niveli i diplomimit po i afrohet objektivave europiane, tregu vendas i punës, pagat dhe hapësirat për zhvillim profesional mbeten më të kufizuara se në ekonomitë e BE-së. Kjo gjeneron një kontrast të fortë me Italinë dhe Gjermaninë, të cilat, pavarësisht përqindjeve më të ulëta të të rinjve të diplomuar, tërheqin shqiptarë të kualifikuar për shkak të kushteve më të mira.
“Rrjedhja e trurit” dhe objektivat 2030
Largimi i kuadrove të specializuar është bërë fenomen i qëndrueshëm, veçanërisht në shëndetësi, teknologjinë e informacionit dhe profesione të tjera të kualifikuara. Sipas një analize të BERZH-it, rreth 23% e shqiptarëve me arsim të lartë jetonin jashtë në periudhën 2023–2024, ndërsa kthimet ishin të pakta.
Bashkimi Europian synon që deri në vitin 2030 të paktën 45% e të rinjve 25–34 vjeç të kenë përfunduar arsimin e lartë. Me 43.2% në vitin 2023, Shqipëria ishte vetëm 1.8 pikë përqindjeje larg këtij objektivi.











