Seanca për rastin Ibër–Lepenci ndërpritet; pa datë të re pasi gjyqtari del në pension
Seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin Ibër–Lepenci u shty për shkak të mungesës së prokurorit Bekim Kodraliu. Nuk u caktua datë e re, pasi gjyqtari Vesel Ismaili njoftoi se pensionohet më 10 nëntor.

Seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin Ibër–Lepenci u ndërpre sot, pasi prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, nuk ishte i pranishëm dhe u zëvendësua nga kolegu i tij, Armend Zeneli.
Prokurori Zeneli kërkoi shtyrjen, duke theksuar se mungesa e Kodraliut erdhi për shkak të një urgjence dhe se ai nuk mund të merrte pjesë në seancë.
“Prokurori ka pasur një urgjencë. Propozoj që seanca e sotme të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër”, deklaroi Zeneli.
Avokatët mbrojtës kundërshtuan propozimin, por kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, pas këshillimit e miratoi kërkesën e prokurorisë.
“Aprovohet propozimi i prokurorit. Seanca e sotme ndërpritet dhe e njëjta caktohet në kohë të pacaktuar. Arsyeja pse nuk është vendosur afati është që unë më 10 nëntor e përfundoj karrierën time, pensionohem. Për caktim do të njoftoheni me kohë”, tha Ismaili.
Data e re e seancës nuk u caktua, me arsyetimin se gjyqtari Ismaili do të dalë në pension më 10 nëntor dhe nuk mund të vazhdojë procesin.











