Rama: Të rinj të ideologjizuar nga “fryma e Antifa-s”, por jo terroristë
Kryeministri Edi Rama tha se pjesë e protestave të dhunshme janë të rinj të ekstremizuar nga fryma e Antifa-s, duke theksuar se nuk i quan terroristë. Ai foli për presion ndaj policisë dhe e cilësoi situatën “fatkeqësi kombëtare”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se të rinj të përfshirë në protestat e dhunshme janë të ideologjizuar dhe të ekstremizuar nga “fryma e Antifa-s”, duke iu referuar edhe faktit që, sipas tij, presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur Antifa-n organizatë terroriste. Rama theksoi se kjo nuk nënkupton se të rinjtë janë terroristë, por se janë nën ndikimin e një ideologjie që synon përmbysje.
Ai u shpreh se pjesëmarrësit e rinj në protesta janë “pengje” të një fryme që kërkon të “shkatërrojë dhe ta kthejë gjithçka përmbys”, teksa pranoi se mes tyre ka studentë dhe nxënës.
“Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë... janë terroristë. Aspak! Por janë pengje të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys,” tha Rama.
Kryeministri e përshkroi situatën si “fatkeqësi kombëtare”, duke vënë në dukje se forcat e policisë po përballen jo vetëm me goditje fizike, por edhe me “sulmin e ekraneve”.
Duke krahasuar zhvillimet me vende europiane, Rama përmendi Francën, Italinë, Portugalinë dhe Belgjikën, ku sipas tij po ndodhin ngjarje të ngjashme, por shtoi se atje asnjë parti politike nuk del në krah të dhunës apo nuk justifikon sulmet ndaj institucioneve.











