Rama: Familjet e të miturve që shkelin ligjin në protesta do të paguajnë dëmet; masa edhe për studentët
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi përgjegjësi financiare për familjet e të miturve që përfshihen në akte dhune gjatë protestave. Ai tha se studentët që sulmojnë Policinë do të humbasin përfitimet si arsimi falas dhe bursat.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se familjet e të miturve që marrin pjesë në akte dhune gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara. Ai paralajmëroi gjithashtu masa administrative ndaj studentëve që sulmojnë efektivët e Policisë së Shtetit, duke theksuar se nuk do të përfitojnë më arsim falas, bursa apo mbështetje financiare.
Sipas Ramës, prindërit që “nuk mbajnë përgjegjësinë” për fëmijët e tyre do të përballen me faturat e dëmeve. Ai përmendi dëmtime të infrastrukturës publike si trotuare, semaforë, kamera sigurie, tabela, stola dhe pemë, duke theksuar se riparimet bëhen me taksat e qytetarëve.
“Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti”, tha Rama, duke shtuar se ata që braktisin mësimin për të sulmuar policët do të kenë pasoja administrative.
Kryeministri e cilësoi të papranueshme, siç u shpreh, idenë që shteti t’u “dorëzohet” akteve të dhunshme. Ai tha se nuk do të ketë fonde publike për individë që dëmtojnë pronën dhe rendin, ndërsa theksoi se taksat e shqiptarëve shkojnë për riparimin e dëmeve të shkaktuara.
Rama hodhi akuza edhe ndaj disa mediave, duke folur për fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, dhe u shpreh se drejtësia duhet të veprojë. Ai akuzoi gjithashtu Prokurorinë e Tiranës se u ka dhënë “imunitet” pronarëve të përfshirë, sipas tij.
Në fjalën e tij, ai kritikoi edhe ata që, siç tha, kërkojnë më shumë financim publik ndërsa nuk deklarojnë të ardhurat reale, duke i cilësuar këto qëndrime kontradiktore.











