Profesori amerikan Daniel Serwer: Dhuna e protestave dëmton kauzën, ndryshimi vjen me votë
Daniel Serwer, profesor në Johns Hopkins dhe ish-diplomat amerikan, e cilësoi dhunën në protestat në Tiranë të papranueshme dhe paralajmëroi se ajo diskrediton mesazhin e protestuesve. Ai theksoi se çdo ndryshim politik duhet të vijë në mënyrë paqësore, përmes votës.

Daniel Serwer, profesor për politikat e jashtme në Institutin Amerikan Johns Hopkins dhe ish-diplomat i Departamentit të Shtetit, deklaroi se dhuna e shfaqur gjatë gjashtë ditëve të protestave në Tiranë është e papranueshme dhe rrezikon të dëmtojë kauzën e protestuesve.
“Dhuna është e papranueshme në shoqëritë demokratike si Shqipëria. Protestat janë legjitime, por dhuna po e diskrediton këtë protestë,” u shpreh ai, duke kujtuar se ka qenë në Shqipëri në vitin 1997 dhe ka parë nga afër pasojat destabilizuese të protestave të dhunshme. Sipas tij, “çdo ndryshim duhet të vijë përmes votës, në rrugë paqësore”.
I pyetur për thirrjen për mosbindje civile të Sali Berishës, Serwer tha se ajo mund të përshkallëzojë situatën, por nënvizoi se mosbindja civile nënkupton vetëm rezistencë paqësore.
“Mosbindje civile do të thotë jo dhunë… është ide shumë e keqe të besohet se me dhunë mund të largohet kryeministri Edi Rama. Dhuna nuk sjell vota,”theksoi ai, duke shtuar se është koha për udhëheqje të re në rajon.
Sa i përket pretendimeve për “duar të huaja” pas ngjarjeve, Serwer tha se nuk mund të japë një vlerësim nga larg, por kujtoi se SHBA dhe Europa nuk duan të shohin dhunë në një vend që është në rrugën e anëtarësimit në BE, pasi kjo e vështirëson procesin.
Ndërsa komentoi pritjen e ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, Erick Wendt, Serwer shprehu dëshirën që të ketë vazhdimësi në mbështetjen e kursit europian të Shqipërisë. Ai vuri në dukje se në qëndrimet amerikane për Ballkanin Perëndimor ka mungesë të hapur mbështetjeje për BE-në, gjë që e quajti për të ardhur keq, duke kujtuar se qëllimi afatgjatë i SHBA-ve ka qenë integrimi i rajonit në Bashkimin Europian.











