Plani vjeshtor i Komisionit për Integrime Evropiane miratohet: takime me BE dhe raportime ministrash
Komisioni për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës ka miratuar planin e punës për sesionin vjeshtor. Agjenda përfshin takime me përfaqësues të BE-së, raportime të ministrave dhe bashkëpunim me OJQ-të.

Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar planin e punës për sesionin vjeshtor, që parashikon takime me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, raportime të ministrave dhe bashkëpunim me organizatat joqeveritare.
Kryetarja e komisionit, Jehona Lushaku-Sadriu, bëri të ditur se në tetor është planifikuar një takim me kryenegociatorin për integrim evropian, Jeton Zulfaj, ku do të diskutohet për zhvillimet më të fundit në proces dhe takimet e tij në Bruksel.
Sipas Lushaku-Sadriut, në dhjetor pritet që ministrat të raportojnë para komisionit, si dhe të mbahet një takim plenar në kuadër të aktiviteteve për integrimin evropian.
Gjatë mbledhjes, anëtarja e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Liza Gashi, propozoi që Kosova të shkëmbejë përvoja me Malin e Zi dhe Shqipërinë, dy vende të rajonit që po avancojnë në procesin e anëtarësimit në BE.
Plani i punës u mbështet nga të gjithë anëtarët e komisionit.











