PDK mohon vendim zyrtar për dorëheqjen e Bedri Hamzës
Pas raportimeve për dorëheqjen e Bedri Hamzës nga kryesia e PDK-së, zyra e informacionit e partisë thotë se nuk ka vendim zyrtar. PDK kujton se Hamza ka paralajmëruar më herët tërheqjen kur të hapen zgjedhjet e brendshme.

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar të hënën pas raportimeve se kryetari i saj, Bedri Hamza, ka dhënë dorëheqje, duke sqaruar se deri tani “nuk ka asnjë vendim zyrtar” për këtë çështje.
Në një reagim me shkrim, zyra e informacionit e PDK-së theksoi se Hamza më parë e ka bërë publike qëndrimin se do të tërhiqet dhe nuk do të rikandidojë sapo të hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme në parti.
“Nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje,” thuhet në njoftim, ku rikujtohet se Hamza ka paralajmëruar dorëheqjen me hapjen e procesit të brendshëm zgjedhor.
Sipas njoftimit, aktualisht PDK është e fokusuar në përmbylljen e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në fazën e apelit.
Partia shtoi se për çdo zhvillim ose vendim zyrtar do të informojë publikun në kohën e duhur.
Bedri Hamza mori drejtimin e PDK-së më 17 nëntor 2025, duke pasuar Memli Krasniqin.











