Panel në Prishtinë: Përgatitjet për “Prishtina 2030” dhe thirrje për bashkërendim institucional
Në Samitin e Ballkanit në Prishtinë u theksua se për Lojërat Mesdhetare 2030 po rinovohen salla sportive në disa qytete dhe planifikohet ndërhyrje në Qendrën e Studentëve. Zyrtarët kërkuan koordinim të ngushtë mes qeverisë, komunave dhe KOK-ut.

Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, rinovimet në infrastrukturën sportive dhe nevoja për koordinim ndërmjet institucioneve u diskutuan të hënën në një panel për sportin, në kuadër të Samitit të Ballkanit në Prishtinë.
Shefi i stafit dhe koordinatori i Lojërave, Drilon Brahimi nga Ministria e Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se aktualisht po rinovohen sallat ekzistuese sportive në disa qytete të Kosovës. Ai shtoi se për projektet tjera të domosdoshme për ngjarjen është paraparë edhe ndërhyrja në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se bashkëpunimi mes Qeverisë, institucioneve lokale dhe Komitetit Olimpik të Kosovës është vendimtar për të shmangur veprimet e fragmentuara dhe për të garantuar organizim sa më cilësor.
“Është momenti i fundit... t’i harmonizojmë veprimet... 71 përqind e lojërave do të zhvillohen në Prishtinë... nëse i harmonizojmë të gjitha ekipet nuk ka dyshim se do t’i kemi lojërat më të mira,”u shpreh ai.
Në panel u nënvizua gjithashtu qëllimi për të dëshmuar kapacitetet organizative të vendit.
“Organizimi i Lojërave Mesdhetare nuk është vetëm çështje e infrastrukturës dhe garës, por dëshmi për t’i bashkuar institucionet, federatat, vullnetarët dhe partnerët ndërkombëtar,”tha Krasniqi, duke e lidhur suksesin edhe me përvojën e pjesëmarrësve dhe trashëgiminë që do të mbetet pas ngjarjes.
Përgatitje dhe pritshmëri
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” konsiderohen një nga ngjarjet sportive më të rëndësishme që pritet të mbahet në Kosovë. Përgatitjet përfshijnë zhvillimin e infrastrukturës, koordinimin ndërinstitucional dhe krijimin e kushteve për pritjen e sportistëve dhe delegacioneve nga vendet pjesëmarrëse.











