Objektivi i Kosovës: 1.6 GW kapacitete të gjelbra në rrjet deri më 2031
Në Samitin e Ballkanit në Prishtinë, zëvendësministri Getoar Mjeku tha se Kosova synon 1,600 MW energji të ripërtërirë deri në vitin 2031, përmes investimeve në diell, erë dhe sisteme baterish. Ai përmendi ankandet për erën, parkun diellor 105 MW dhe mbështetjen amerikane për balancimin e sistemit.

Kosova synon të arrijë 1,600 megavatë kapacitete të energjisë së ripërtërirë të integruara në rrjet deri në vitin 2031. Njoftimi u bë nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, gjatë Samitit të Ballkanit që po mbahet në Prishtinë.
Sipas tij, vendi po avancon me investime në energjinë diellore, atë të erës dhe në sistemet e baterive për balancimin e sistemit energjetik, me synim ndërtimin e një sektori të qëndrueshëm dhe të integruar në tregun evropian.
“Ne po punojmë të ndërtojmë një sektor të qëndrueshëm, të integruar në tregun panevropian... kemi një strategji të energjisë që është ambicioze, realiste,”tha Mjeku, duke theksuar balancimin mes mbrojtjes së mjedisit, sigurisë së furnizimit dhe përballueshmërisë së kostos.
Ai bëri të ditur se është mbyllur ankandi i parë diellor dhe se parku diellor prej 105 MW është në ndërtim si rezultat i një gare të hapur. Autoritetet po shqyrtojnë ofertat për ankandin e erës dhe vitin e ardhshëm pritet një procedurë e re për projekte me erë.
Mjeku shtoi se janë pranuar dy oferta nga një kompani amerikane për ndërtimin e një sistemi baterish për balancimin e rrjetit, një projekt i mbështetur nga “Korporata e Sfidës 9-vjeçare” e SHBA-ve me një grant prej 202 milionë dollarësh, ndërsa fonde do të ndajë edhe shteti. Ai theksoi gjithashtu synimin për integrim rajonal dhe evropian në sektorin e energjisë.











