Marjana Koçeku u drejtohet diplomatëve: Hetim për dhunën policore dhe rolin e personave civilë në protesta
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku i ka dërguar një letër të hapur misioneve diplomatike në Tiranë, duke kërkuar hetime të menjëhershme për përdorimin e forcës nga Policia në protesta dhe identifikimin e personave me veshje civile pa shenja policore. Ajo paraqet gjashtë kërkesa, përfshirë dënimin publik të dhunës dhe mbrojtjen e të miturve.

Deputetja e pavarur e Kuvendit, Marjana Koçeku, më 16 tetor 2026 u është drejtuar me një letër të hapur përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për përdorimin e forcës nga Policia ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, si dhe për ndalime arbitrare dhe ndërhyrje të personave me veshje civile pa shenja identifikuese.
Letra i është adresuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së SHBA-ve, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Koordinatorit të Përhershëm të OKB-së dhe drejtuesve të misioneve të tjera diplomatike të akredituara në vend.
Në dokument, Koçeku shpreh shqetësim për atë që e konsideron përdorim të tepruar të forcës nga efektivët, përfshirë goditjen e protestuesve të shtrirë dhe keqtrajtimin gjatë ndalimeve, si dhe raporte për shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar në komisariate.
Një pikë qendrore e letrës lidhet me ndërhyrjen në protesta të personave me veshje civile pa shenja policore, të cilët, sipas saj, kanë marrë dhe larguar me forcë protestues. Deputetja kërkon sqarimin e identitetit të tyre, kompetencave, bazës ligjore dhe zinxhirit të komandimit që ka autorizuar këto veprime.
Ajo vë në pikëpyetje planifikimin, drejtimin dhe mbikëqyrjen e operacioneve policore, duke theksuar se hetimet nuk duhet të kufizohen te përgjegjësia individuale e efektivëve, por të përfshijnë edhe rolin e drejtuesve.
Përmes gjashtë kërkesave konkrete, Koçeku i bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të dënojnë publikisht dhunën policore, të kërkojnë hetime të menjëhershme, të pavarura dhe të paanshme, të garantojnë mbrojtjen e të miturve dhe të përcjellin këto shqetësime qeverisë shqiptare përmes kanaleve diplomatike, me monitorim të vazhdueshëm të rezultateve.
Në përmbyllje, ajo lidhi çështjen me procesin e integrimit evropian, duke theksuar se respektimi i lirive themelore, parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës është kusht i domosdoshëm dhe se reagimi institucional ndaj pretendimeve për dhunë do të jetë tregues i angazhimit të vendit ndaj standardeve evropiane.











