Magazina me 239 dronë e 75 llastiqe në Tiranë; arrestohet 23‑vjeçar, dyshohet furnizonte protestues
Policia e Tiranës arrestoi një 23‑vjeçar në operacionin “Infrastruktura”, pasi u kap duke shitur llastiqe dhe sfera metalike pjesëmarrësve në protestë. Në një magazinë të tij u gjetën mbi 450 pajisje e artikuj pa dokumentacion, mes tyre 239 dronë.

Një 23‑vjeçar u arrestua në Tiranë gjatë operacionit policor të koduar “Infrastruktura”, pasi dyshohet se u shiste pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit llastiqe dhe sfera metalike, me qëllim goditjen e punonjësve të Policisë dhe institucioneve.
Sipas Policisë, i riu u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, teksa po u shiste protestuesve 30 llastiqe gjuetie me sfera metalike, të cilat u sekuestruan si prova materiale. Pas arrestimit, hetimet u shtrinë në një magazinë që ai posedonte në rrugën “Kol Koçi”.
Në këtë ambient, shërbimet zbuluan mbi 450 pajisje dhe artikuj pa dokumentacion, përfshirë 239 dronë të madhësive të ndryshme, 75 llastiqe gjuetie dhe një sasi të konsiderueshme sferash metalike. Po ashtu u gjetën 44 celularë, 17 powerbank, 10 pajisje për lokalizimin GPS të automjeteve, 11 llamba LED, 3 drynë elektronikë me GPS, një pajisje elektronike me antenë (RFGS Detector), 3 palë syze me videoregjistrues, pajisje DVR, 7 pajisje Bluetooth për automjete, 8 pajisje Blackbox me kamera për automjete, një kompresor, 8 elektrikë dore, 6 pajisje lazer, 2 Xiaomi Smart Plug 2, 3 pajisje elektronike, 5 pajisje K-68 për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave, 12 mouse kompjuterikë, 7 pajisje me lojëra kompjuterike, 7 pajisje Watch 10 Pro Max dhe 8 çanta me hapje me gjurmë gishtash.
Policia bën me dije se për këto artikuj i riu nuk kishte asnjë dokumentacion. Hetimet vijojnë për të dokumentuar veprimtarinë e dyshuar dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të parregjistruar në organet tatimore dhe moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore”.











