Kumbaro: Shkollat hapur dhe mësimi vijon normalisht; apel për besim te mësuesit
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro deklaroi se mësimi ka nisur normalisht këtë të hënë në mbi 1400 shkolla në gjithë vendin. Ajo u drejtoi mesazhe prindërve, mësuesve dhe studentëve, duke theksuar se shkollat janë në funksion të plotë dhe dera e dialogut mbetet e hapur.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi këtë mëngjes se shkollat në gjithë Shqipërinë janë të hapura dhe mësimi po zhvillohet normalisht. Sipas saj, këtë të hënë procesi arsimor ka nisur në mbi 1400 shkolla në të gjithë vendin.
Kumbaro bëri me dije se punonjësit e Ministrisë së Arsimit kanë vazhduar punën pa ndërprerje, si fizikisht ashtu edhe online, edhe pse një pjesë e zyrave janë dëmtuar. Ajo shtoi se gjatë fundjavës ka pasur komunikim të pandërprerë me rrjetin arsimor për të siguruar rifillimin e javës mësimore.
“Jemi të gjithë në krye të detyrës. Dua t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë mësuesve për përkushtimin e dhënë dhe komunikimin me prindërit,” tha ndër të tjera kumbaro.
Ministrja u kërkoi prindërve të kenë besim te mësuesit dhe të dialogojnë me fëmijët e tyre, duke theksuar se koha e tyre duhet të jetë e përqendruar te edukimi. Ajo u referua edhe dëmeve dhe akteve të vandalizmit të shfaqura në rrjete sociale, duke i quajtur minuta të humbura për fëmijët.
Kumbaro i dërgoi një apel edhe studentëve për të vijuar dialogun me institucionet. Ajo theksoi se dera e Ministrisë së Arsimit dhe stafi i saj janë të hapur për bisedime dhe përmirësime të nevojshme në çdo moment.











