Kërcënime me email për bomba në institucione shqiptare; pista teknike çon te një institucion arsimor në Arabinë Saudite
Një email kërcënues u dërgua sot në disa adresa institucionesh në Shqipëri, duke vënë në lëvizje Policinë e Shtetit. Verifikimet paraprake tregojnë se mesazhi ka ardhur nga një adresë e lidhur me një institucion arsimor në Arabinë Saudite.

Një mesazh elektronik me kërcënime për vendosje lëndësh shpërthyese dhe akte terroriste u dërgua sot në disa adresa institucionesh në Shqipëri, duke aktivizuar strukturat e Policisë së Shtetit.
Policia njoftoi se nga kontrollet e para teknike është konstatuar se emaili është dërguar nga një adresë që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Sipas të dhënave paraprake, mënyra e dërgimit ngjan me raste të mëparshme kur mesazhe të ngjashme janë shpërndarë nga adresa të komprometuara të studentëve të institucioneve jashtë vendit.
Aktualisht, po kryhen verifikime dhe veprime hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, si dhe për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Hetimet synojnë gjithashtu identifikimin e personave përgjegjës për dërgimin e emailit kërcënues.











