Katër të ndaluar pas plagosjes me armë të një polici në Nottingham
Një oficer policie u plagos me armë zjarri në zonën Angel Row të Nottinghamit. Policia ka arrestuar katër persona teksa po heton rrethanat e ngjarjes.

Një polic u qëllua dhe mbeti i plagosur në zonën Angel Row të Nottinghamit, në Mbretërinë e Bashkuar. Ai po merr trajtim në spital, ndërsa autoritetet kanë arrestuar katër persona në lidhje me incidentin.
Sipas të dhënave paraprake, të shtënat ndodhën pasi efektivi iu afrua dy të dyshuarve në një stacion autobusi. Hetimet për të sqaruar plotësisht ngjarjen janë në vijim.
Të dielën në mbrëmje, policia ndaloi një automjet në zonën Radford dhe arrestoi tre persona: dy gra, 27 dhe 25 vjeçe, si dhe një burrë 24-vjeçar.
Gruaja 27-vjeçare dyshohet për shkaktim të qëllimshëm të lëndimeve të rënda trupore dhe për posedim të një arme zjarri me qëllim rrezikimin e jetës. Ndërkohë, 24-vjeçari dhe 25-vjeçarja dyshohen për ndihmë ndaj një personi që ka kryer vepër penale.
Një burrë 30-vjeçar u arrestua në orët e para të së hënës, nën dyshimin se ka ndihmuar një të dyshuar për t’iu shmangur drejtësisë.
Policia vijon punën hetimore për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësitë e plota të ngjarjes.











