Haziri i bën thirrje Presidentes: Dekreto ligjin ose ktheje për rishqyrtim; kërkohet kornizë kushtetuese për UÇK-në
Çlirim Haziri nga iniciativa “JO NË EMRIN TIM” kërkoi sot që Presidentja të veprojë për ligjin që prek Dhomat e Specializuara, si dhe ndërtimin e një mekanizmi të pavarur monitorimi të proceseve gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Në një konferencë për media sot në Prishtinë, Çlirim Haziri, drejtues i iniciativës “JO NË EMRIN TIM”, u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kërkoi nga Presidentja që ta dekretojë ose ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që aktualisht gjendet në Presidencë.
Haziri kujtoi se iniciativa ka qëndruar “21 ditë e 21 net” në sheshet e Prishtinës pas vendimit të 16 shtatorit, të cilin e cilëson “thellësisht të padrejtë”.
“Nëse konstatohen dispozita që nuk janë në harmoni me Kushtetutën apo kanë çfarëdo problemi ligjor, kërkojmë që Presidentja ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim”,tha ai, duke shtuar se UÇK-ja ka nevojë për një ligj “kushtetues, të zbatueshëm dhe në përputhje me standardet evropiane”.
Sipas tij, një nga objektivat kryesore është krijimi i një mekanizmi të pavarur monitorimi të proceseve gjyqësore, përmes bashkëpunimit me institute, universitete dhe ekspertë të drejtësisë. Ky mekanizëm do të vlerësonte procedurat, provat dhe respektimin e të drejtave të të akuzuarve, si dhe do të prodhonte analiza e raporte që do t’u përcilleshin edhe institucioneve të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare.
Haziri deklaroi se iniciativa nuk kërkon “drejtësi të privilegjuar” për UÇK-në, por “drejtësi të drejtë”, duke theksuar prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë. Ai pretendoi se gjatë procesit ka pasur shkelje serioze dhe kërkoi shqyrtim nga ekspertë të pavarur mbi bazën e standardeve ndërkombëtare. Duke iu referuar të drejtave të viktimave, ai theksoi se
“drejtësia për të akuzuarit dhe drejtësia për viktimat takohen te e vërteta”.
Ai përshëndeti krijimin e komisionit qeveritar për hartimin e një strategjie shtetërore mbi këto procese, duke kërkuar nisje të menjëhershme të punës, me objektiva të qarta dhe afate konkrete. Haziri paralajmëroi se iniciativa do të rikthehet në protesta nëse institucionet zgjedhin “heshtjen në vend të përgjegjësisë”, ndërsa nënvizoi se do të ndjekin çdo vendim dhe do të kërkojnë llogari për çdo zotim institucional.











