Berisha pas deklaratave të Ramës për protestën: Thirrje policisë të mos qëllojë studentët
Kreu i PD-së, Sali Berisha, doli para mediave pas fjalës së kryeministrit Edi Rama për protestën. Ai i bëri thirrje policisë që të mos ndërhyjë kundër studentëve dhe akuzoi Ramën për fyerje ndaj tyre.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në një konferencë me gazetarët, ku reagoi ndaj deklarimeve të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën. Berisha e cilësoi lëvizjen e studentëve si “mision çlirimtar” dhe e akuzoi Ramën për qëndrim armiqësor ndaj qytetarëve.
Ai pretendoi se kryeministri i ka etiketuar studentët si “të pashkollë, injorantë, njerëz të gurit dhe terroristë”, ndërsa e akuzoi për krahasime me liderë si Emmanuel Macron. Sipas Berishës, asnjë prej këtyre drejtuesve nuk ka “përzënë” përqindje kaq të lartë të të rinjve apo të popullsisë nga vendi si pasojë e politikave të ndjekura.
Berisha tha se fjalimi i Ramës dëshmon “largësinë” e tij nga problemet e qytetarëve dhe e krahasoi atë me diktatorin Enver Hoxha. Ai shtoi se nëse protesta ka marrë “nuanca të dhunshme”, përgjegjës është kryeministri.
Në reagimin e tij, kreu i PD-së deklaroi se Rama ka përmendur Rusinë dhe Iranin si të përfshirë pas protestave të gjimnazistëve dhe studentëve, gjë që Berisha e quajti shmangie nga përgjegjësia.
Berisha i bëri thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit që të mos shërbejnë si “mburojë” për kryeministrin. “Mos qëlloni mbi studentët dhe gjimnazistët, dorëzoni kapelën, dorëzoni detyrën,” u shpreh ai, duke i ftuar policët të mos përfshihen kundër protestuesve.











