BB: Potencial i madh për investime në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut
Ekonomisti kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Richard James Lowden Record, në Samitin e Ballkanit tha se Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ofrojnë mundësi të pashfrytëzuara për investime, pavarësisht sfidave globale.

Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial të konsiderueshëm për investime, deklaroi ekonomisti kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Richard James Lowden Record, gjatë Samitit të Ballkanit që po fokusohet te investimet private dhe zhvillimi i projekteve të infrastrukturës publike me vlerë rreth 30 miliardë euro në këto tri vende.
Sipas tij, rajoni po tërheq sërish interesin e investitorëve dhe po tregon përkushtim më të madh ndaj integrimit evropian, megjithëse vepron në një mjedis global më sfidues me rritje më të ngadaltë ekonomike dhe pasiguri gjeopolitike.
“Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, po shohim një interes të ripërtërirë të investitorëve dhe një përkushtim më të madh ndaj integrimit evropian... ky rajon ofron mundësi të konsiderueshme ende të pashfrytëzuara,” theksoi Record, duke përmendur edhe ndikimin e riorganizimit të zinxhirëve të furnizimit, zhvillimet teknologjike dhe përhapjen e shpejtë të inteligjencës artificiale.
Ai vlerësoi se Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë disa përparësi kyçe: demografi të favorshme me popullsi të reja, si dhe themele të forta makroekonomike që përfshijnë inflacion dhe norma interesi të ulëta, të cilat mbështesin stabilitetin ekonomik.
“Të tria ekonomitë janë të pozicionuara pranë zemrës së Evropës, si gjeografikisht, ashtu edhe për sa i përket aspiratave... me një përkushtim të përbashkët ndaj integrimit evropian,” u shpreh Record, duke theksuar rëndësinë e pozitës gjeografike dhe orientimit strategjik të rajonit.











