141 pedagogë kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe qeveri kujdestare pas protestave
Një grup prej 141 pedagogësh i kërkoi kryeministrit Edi Rama dorëheqjen dhe ngritjen e një qeverie kujdestare, pas përplasjeve të dhunshme mes policisë dhe studentëve në Tiranë e qytete të tjera. Rama e ka refuzuar dorëheqjen, duke akuzuar kundërshtarët politikë dhe faktorë të huaj për përpjekje destabilizimi.

Gjatë ditës së gjashtë të protestave studentore dhe qytetare në Tiranë dhe në disa qytete të Shqipërisë, 141 pedagogë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare, duke dënuar përdorimin e forcës nga policia ndaj studentëve.
Në një deklaratë të përbashkët, ata e cilësuan dhunë të pajustifikuar ndërhyrjen e policisë dhe shkelje të të drejtave të njeriut gjatë protestave, duke theksuar se një qeveri kujdestare do të duhej të siguronte stabilitet institucional, uljen e tensioneve dhe respektimin e vullnetit qytetar.
Pedagogët u bënë thirrje punonjësve të policisë të ndërpresin dhunën dhe të refuzojnë urdhrat e paligjshëm, duke nënvizuar përgjegjësinë individuale për veprimet e kryera.
“Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju”, thuhet në apel.
Deklarata i është drejtuar edhe përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilave u kërkohet të reagojnë publikisht për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Njëkohësisht, protestuesit u ftuan të shmangin dëmtimin e bizneseve dhe pronës publike e private, me arsyetimin se aktet e dhunës mund të shërbejnë si justifikim për ndërhyrje policore dhe delegjitimim të protestës.
Në apel drejtuar qytetarëve të Tiranës, nënshkruesit rikujtuan lëvizjen studentore të vitit 1991 dhe kërkuan solidaritet të gjerë me të rinjtë.
“I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës që, njësoj si në 1991, t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre”, theksohet në deklaratë, e cila mbyllet me mesazhin se
“Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë”.
Protestat kanë qenë të shoqëruara me përplasje të dhunshme, qindra të lënduar dhe përdorim të gazit lotsjellës, autobotëve të ujit dhe plumbave të gomës nga policia. Kryeministri Rama ka refuzuar kërkesat për dorëheqje, duke deklaruar se protestat po shfrytëzohen nga kundërshtarët politikë dhe faktorë të huaj për të destabilizuar vendin dhe për të penguar procesin e integrimit europian.











