Zyra e Kryeprokurorit: Mos u mbështetni te lajme jozyrtare për “arrestime zyrtarësh”
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit reagoi të dielën ndaj raportimeve për arrestime të zyrtarëve, duke kërkuar që publiku të bazohet vetëm në informacionet zyrtare. Kryeprokurori siguroi se çdo rast penal do të trajtohet sipas ligjit dhe standardeve më të larta të drejtësisë.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar të dielën pas raportimeve të ditëve të fundit për “arrestime të personave zyrtarë”, duke theksuar se këto shkrime kanë krijuar konfuzion në publik dhe pasiguri juridike.
Institucioni u bëri thirrje qytetarëve dhe mediave që për çështje që lidhen me punën dhe veprimet e Prokurorit të Shtetit të mbështeten vetëm në njoftime të verifikuara nga vetë zyra.
“...të bazoheni vetëm në informacione zyrtare dhe të konfirmuara nga vetë institucioni, si dhe të shmangni çdo informacion tjetër që nuk është zyrtar dhe i konfirmuar”, thuhet në deklaratë.
Sipas reagimit, përhapja e shkrimeve të pakonfirmuara rreth arrestimeve të zyrtarëve ka kontribuar në krijimin e paqartësive, ndaj theksohet nevoja për komunikim të saktë dhe të përgjegjshëm.
Kryeprokurori i Shtetit ka garantuar se çdo rast penal do të trajtohet në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe standardet më të larta të drejtësisë.
Më herët gjatë javës ishte raportuar se në ditët në vijim mund të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.











