Zjarri te Drejtoria e Burgjeve dhe Komisariati nr. 3 në Tiranë; tensione në ditën e gjashtë të protestës
Persona të paidentifikuar i vunë flakën pasditen e sotme Drejtorisë së Burgjeve dhe Komisariatit nr. 3 në Tiranë. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve.

Persona ende të panjohur i vunë zjarrin pasditen e sotme Drejtorisë së Burgjeve dhe Komisariatit nr. 3 në Tiranë. Sipas raportimeve, brenda godinës dyshohet se ka persona, por deri tani nuk ka njoftime për të lënduar, ndërsa po bëhen përpjekje për të shuar flakët.
Ngjarja vjen në ditën e gjashtë të protestës në kryeqytet, ku vatra e tensioneve është zhvendosur nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt qendrës së Tiranës. Sheshi “Skënderbej” është kthyer në pikën kryesore të përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Gjatë zhvillimeve të fundit, një pjesë e protestuesve kanë goditur me gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të policisë. Nuk ka të dhëna zyrtare për të arrestuar ose të plagosur nga këto përplasje.
Policia është kundërpërgjigjur me ndërhyrje të vazhdueshme, duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer rendin në zonën qendrore.
Në ndryshim nga ditët e mëparshme, kur përballjet zhvilloheshin kryesisht përpara godinës së Kryeministrisë, zhvendosja e forcave të policisë më poshtë në bulevard dhe përdorimi i mjeteve me presion kanë penguar rigrupimin e protestuesve në vendqëndrimin e mëparshëm.











