Zemërimi i brezit të ri në Shqipëri: punë më pak, qira më të larta dhe mosbesim te politika
Protestat e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah pakënaqësitë e akumuluara të të rinjve në Shqipëri: papunësi në rritje, qira të papërballueshme dhe zhgënjim nga sistemi. Të dhënat zyrtare dhe dëshmitë në terren tregojnë një tablo ekonomike e sociale që po shtyn një pjesë të brezit të ri të kërkojë ndryshime brenda vendit.

Në Shqipëri, protestat e të rinjve të ditëve të fundit kanë rikthyer në qendër të vëmendjes tensionet e grumbulluara ndaj kushtove të jetesës, tregut të punës dhe mungesës së besimit te politika. Rritja e papunësisë te grupmosha 15-29 vjeç, qiratë në nivel rekord dhe ndjesia e përjashtimit nga vendimmarrja po ushqejnë zemërimin e brezit të ri.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, të rinjtë e papunë u shtuan me mbi 16% (rreth 5.100 persona), duke e çuar shkallën e papunësisë nga 15,1% në 17,7%, ndërsa papunësia e përgjithshme zbriste. Po ashtu, në vitin 2025 rreth 20,1% e të rinjve 15-29 vjeç ishin jashtë punës dhe arsimit (NEET), një shenjë alarmi për humbjen e potencialit njerëzor.
Kostoja e strehimit është bërë barrë kryesore, veçanërisht në Tiranë. Sipas të dhënave të “Century 21”, në gjysmën e parë të 2026-s qiraja mesatare mujore arriti 590 euro për një apartament 1+1 dhe 954 euro për 2+1, me rritje përkatësisht 4,4% dhe rreth 26% në krahasim me një vit më parë. Për shumë të rinj pa mbështetje familjare, një pagë hyrëse nuk mjafton për të siguruar pavarësi ekonomike.
“Boll më! Po paguaj 60 mijë lekë të reja qira në muaj dhe nuk kemi ujë…”, tha një studente, duke shpjeguar pse i ishte bashkuar protestës.
Dëshmitë nga terreni tregojnë organizim të shpejtë dhe të shtrirë mes shkollave dhe universiteteve. Një maturante tha se brenda një ore në WhatsApp u mor një vendim me votë për bojkotimin e mësimit, ndërsa grupe studentësh përmendën se protestat paqësore nuk ishin dëgjuar më herët.
Presioni mbi arsimin dhe tregun e punës po thellohet. Paga mesatare bruto për të punësuarit nën 30 vjeç ishte rreth 36 mijë lekë në muaj në vitin 2022, më e ulët se grupmoshat 40-49 vjeç (rreth 44 mijë lekë) dhe edhe se mbi 60 vjeç, që kishin paga rreth 10% më të larta se nën 30 vjeç. Edhe pse në vitin 2025 u shpallën 68.860 vende pune (12% më shumë se një vit më parë), kërkesa u përqendrua te profesionet elementare (29,9%), zanatçinjtë (23,7%), shitje-shërbime (15,9%) dhe industri (10,5%), ndërsa “specialistët me arsim të lartë” zinin vetëm 6,4%.
Ndryshimet demografike po e zbehin edhe më shumë ndikimin e të rinjve. Popullsia 0-29 vjeç ra nga mbi 1,6 milionë (54% e popullsisë) në vitin 2001 në 751 mijë (32%) në vitin 2025. Në total, popullsia e vendit u tkurr me rreth 23% 2001-2025, ndërsa tek 0-29 vjeç rënia ishte 54%. Ky zhvendosje e peshës demografike ushqen perceptimin se politika i përgjigjet më shumë interesave të moshave më të mëdha.
Mes emigracionit dhe rezistencës brenda vendit
Edhe pse largimi jashtë mbetet alternativë, një pjesë e brezit të ri po zgjedh rrugën e protestës për të kërkuar ndryshime në arsim, treg pune, strehim dhe qeverisje. Sfidat ekonomike, mungesa e meritokracisë dhe korrupsioni përmenden gjerësisht si shkaqe të pakënaqësisë që sot po shndërrohet në veprim qytetar.











