Urgjenca Mjekësore mohon zërat për gaz lotsjellës në ambulanca, paralajmëron rrezik për pacientët
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka hedhur poshtë pretendimet në rrjete sociale se autoambulancat përdoren për transport të gazit lotsjellës. Institucioni u bën thirrje protestuesve të mos pengojnë qarkullimin e mjeteve mjekësore, duke theksuar se vihet në rrezik jeta e pacientëve.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore deklaroi sot se autoambulancat nuk përdoren për transport të gazit lotsjellës, duke i cilësuar si të rreme pretendimet e përhapura në rrjetet sociale. Në njoftim theksohet se ekipet mjekësore janë në terren vetëm për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë për kujdes urgjent.
Institucioni apeloi për ndërgjegjësim nga qytetarët dhe protestuesit, duke kërkuar të mos pengohet qarkullimi i ambulancave dhe të shmangen aktet e dhunës ndaj ekipeve mjekësore, pasi këto sjellje vonojnë ndërhyrjen dhe rrezikojnë jetën e pacientëve, si edhe sigurinë e stafit.
“Përgënjeshtrojmë kategorikisht këtë informacion”, thuhet në reagim lidhur me pretendimet se ambulancat po përdoren për furnizim me gaz lotsjellës.
Në njoftim u publikua edhe një listë me targa të mjeteve aktualisht në shërbim aktiv, si dhe u rikujtua se për çdo urgjencë mjekësore duhet telefonuar në numrin pa pagesë 127.
Qendra ritheksoi misionin e saj për të ofruar ndihmë të shpejtë mjekësore dhe bëri thirrje që informacionet e pabazuara të mos shpërndahen, për të mos penguar punën e ekipeve në terren.











