Tregu i veturave zhvendoset në Bërnicë; tregtarët: hapësira e ngushtë po na ul shitjet
Tregtarët e veturave në Prishtinë thonë se lokacioni i ri i tregut në Bërnicë të Poshtme është i vogël dhe u vështirëson prezantimin e automjeteve, duke ndikuar edhe në shitje. Komuna e Prishtinës e ka zhvendosur tregun nga Zona Industriale duke nisur nga e diela, 11 tetor 2026.

Tregu i veturave në Prishtinë është zhvendosur nga Zona Industriale në Bërnicë të Poshtme, duke nisur nga e diela, 11 tetor 2026. Megjithatë, tregtarët po ankohen se hapësirat e reja janë të ngushta dhe po ndikojnë negativisht në promovimin dhe shitjen e automjeteve.
Sipas tyre, vendi aktual nuk i përmbush kushtet për një treg funksional, pasi sipërfaqja e kufizuar ua vështirëson ekspozimin e veturave dhe lëvizjen e klientëve. "Ky treg nuk i plotëson kushtet e pazarit... Hapësira është e vogël, myshteritë s'kanë ku ndalen me shikua... Ka rënie të shitjeve", tha Raçi.
Edhe Lam Kastrati kërkon që hapësirat të zmadhohen me investime shtesë. "Më mirë se atje poshtë është se u rendojke shumë trafiku, por me pasë mundësinë me rritë, me zmadhu, me investu edhe pak më shumë. Hapësira e ngushtë", tha Kastrati.
Në këtë lokacion, ashtu si në tregun e vjetër, përveç automjeteve shiten edhe mallra të tjera, përfshirë produkte ushqimore, shpezë dhe tekstil.
Komuna e Prishtinës kishte njoftuar më herët për zhvendosjen e tregut të veturave nga drejtimi i Fushë Kosovës në hapësirën e re në Bërnicë të Poshtme, duke e bërë të ditur datën e nisjes së funksionimit në vendndodhjen e re.











