Tiranë: dëme të shumta pas zjarreve në godinën e Gjykatës së Lartë dhe në disa biznese
Pas protestave në Tiranë, ndërtesa e Gjykatës së Lartë dhe disa njësi tregtare e bankare kanë pësuar dëmtime nga zjarri dhe thyerjet. Një bilanc i plotë pritet të qartësojë shkallën e dëmeve.

Pas protestave në Tiranë, godina e Gjykatës së Lartë u përfshi nga flakët, duke lënë pas mure të nxira, fasadë të djegur dhe strukturë hekuri të ekspozuar. Nga brenda, tavani është rrënuar dhe hapësira është mbushur me materiale të djegura, ndërsa xhamat e dritareve në katin e parë janë thyer, pika nga ku u hodhën edhe koktej molotovi brenda zyrave.
Nga hapësirat mes dritareve duket se në disa pjesë dëmi është më i kufizuar, por vetëm një vlerësim i detajuar do të përcaktojë shkallën e saktë të shkatërrimit.
Dëmtime janë regjistruar edhe në një biznes ngjitur që i përket një operatori celular: pjesa e sipërme e fasadës me xhama është thyer, ndërsa nuk ka shenja përpjekjeje për të shqyer qepenin, ndryshe nga një tjetër pikë e të njëjtit operator në hyrje të “Rrugës së Dibrës”, ku u plaçkit çfarë u mundësua.
Në rrugën “Myslym Shyri”, një filial i një banke të nivelit të dytë u përfshi në zjarr dhe paraqet dëmtime të ngjashme, me fasadë të dëmtuar dhe elementë të brendshëm të prekur nga flakët.
Dëme të dukshme janë vërejtur edhe te zyrat e Bankës së Shqipërisë pranë ish-hotel “Dajti”: dera kryesore, e cila u shpërthye nga protestuesit dhe më pas mori flakë, është tërësisht e nxirë, ndërsa grilat e dritareve janë shkatërruar. Xhamat e dritareve, të disa dyerve, si edhe të kabinës së rojes, janë thyer.











