Thatësira e tetorit ul nivelin e Fierzës; KESH rrit importet për të mbuluar kërkesën
Niveli i Liqenit të Fierzës ka zbritur në 262 metra mbi nivelin e detit këtë fundjavë, gati 5 metra më pak se në fillim të tetorit. KESH ka shtuar importet, me koston vjetore që ka arritur rreth 114 milionë euro pa TVSH.

Niveli i Liqenit të Fierzës ka rënë në 262 metra mbi nivelin e detit këtë fundjavë, si pasojë e prurjeve të ulëta në kaskadën e Drinit dhe thatësirës së zgjatur. Në fillim të tetorit, liqeni shënonte 266.95 metra, duke regjistruar një zbritje prej afro 5 metrash brenda muajit.
Krahasuar me kuotën maksimale prej 296 metrash, Fierza ndodhet rreth 34 metra poshtë kufirit të sipërm. Rënia e ndjeshme e prurjeve ka ngritur shqetësime për prodhimin e energjisë elektrike dhe nevojën për të mbuluar konsumin me importe.
Sipas vlerësimeve të specialistëve të Fierzës, është konsideruar ndalimi i prodhimit përkohësisht me synim ruajtjen e rezervave hidrike deri në rinisjen e reshjeve. KESH bën të ditur se situata po menaxhohet për të shmangur kriza të mundshme energjetike, e ngjashme me një vit më parë.
Për shkak të kushteve të pafavorshme hidrike dhe rënies së prodhimit vendas, Korporata Elektroenergjetike ka rritur importet gjatë muajve të verës dhe vjeshtës. Për periudhën korrik–tetor janë kontraktuar rreth 713 mijë megavat-orë nga tregjet e huaja.
Kostoja e importeve të energjisë për vitin 2026 ka arritur rreth 114 milionë euro, pa TVSH, sipas të dhënave të bëra publike nga KESH.











