Tedi Blushi kërkon dorëheqjen e Edi Ramës: largimi i kryeministrit, “kusht i panegociueshëm”
Tedi Blushi i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të largohet, duke e quajtur këtë hap të domosdoshëm dhe pa kompromis. Ai refuzon çdo negociatë që, sipas tij, do t’i zgjaste jetën “regjimit”.

Tedi Blushi kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar largimin e tij si kusht të panegociueshëm për të ardhmen e vendit. Përmes një reagimi në Facebook, ai tha se “koha e fjalëve ka mbaruar” dhe se ndryshimi duhet të nisë me ikjen e Ramës.
Sipas Blushit, nuk ka vend për marrëveshje apo bisedime politike që do t’i jepnin kryeministrit mundësi të qëndrojë në pushtet. Ai deklaroi se çdo kompromis do të shërbente vetëm për të zgjatur “agoninë” e një sistemi që e quan të mbaruar.
Blushi kritikoi ashpër aktorët që pranojnë të ulen në tryezë me Ramën. “Kush joshet nga ofertat politike të Ramës... ose i shërben interesave të tij, ose dëshmon verbëri politike të pajustifikueshme, ose është thjesht një patronazhist me maskë,” shkroi ai.
Në qëndrimin e tij, Blushi kundërshton “paqet e rreme” dhe “pazaret politike”, duke theksuar se nuk ka të ardhme demokratike dhe europiane me ruajtjen e status quo-së. Ai e përshkruan largimin e kryeministrit si hapat e parë drejt “ndryshimit”.
“Asnjë pazar mbi fatin e Shqipërisë. Asnjë dorëzim përballë regjimit,” shprehet ndër të tjera Blushi, duke theksuar se çdo shtyrje e vendimmarrjes do të zbehë shpresën e qytetarëve.











