Spahiu viziton të lënduarit në Traumë, falënderon ekipet mjekësore pas pesë ditësh protestash
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, vizitoi Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po trajtohen dhjetëra efektivë policie dhe protestues të lënduar. Ajo shprehu mirënjohje për stafet mjekësore që kanë punuar pa ndërprerje gjatë pesë ditëve të fundit.

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, vizitoi Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit dhe protestues të lënduar gjatë protestave të ditëve të fundit.
Pasi pa nga afër situatën, Spahiu shprehu mirënjohje për ekipet mjekësore dhe infermierore që kanë qenë në gatishmëri të plotë, duke ofruar kujdes për të gjithë të lënduarit.
Sipas saj, personeli shëndetësor ka punuar pa ndërprerje gjatë pesë ditëve, duke garantuar asistencë për çdo pacient të paraqitur në urgjencë.
“Mirënjohje për të gjitha ekipet mjekësore dhe infermierore, që gjatë këtyre pesë ditëve kanë qenë pa ndërprerje në krye të detyrës, duke ofruar kujdes dhe ndihmë mjekësore për çdo të lënduar, pa asnjë dallim. Shëndeti dhe jeta e çdo qytetari janë mbi gjithçka”, tha ajo.
Ministrja theksoi se shërbimi mjekësor u është ofruar pa dallim si efektivëve të policisë, ashtu edhe qytetarëve të lënduar në protesta.











