Si të dalloni ftohjen nga gripi dhe kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore
Me rënien e temperaturave shtohen rastet e ftohjes dhe gripit. Ja shenjat paralajmëruese dhe situatat kur duhet kontaktuar mjeku, sipas udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore.

Me uljen e temperaturave, rastet e ftohjes dhe gripit janë në rritje. Shumica shërohen në shtëpi me pushim dhe lëngje, por në disa raste mund të shfaqen komplikacione që kërkojnë vlerësim mjekësor. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gripi mund të sjellë pasoja serioze, përfshirë pneumoninë.
Dallimi kryesor mes të dyjave lidhet me shfaqjen e simptomave: ftohja zakonisht fillon gradualisht, ndërsa gripi nis papritur dhe shpesh shoqërohet me temperaturë, dhimbje të forta muskulore dhe lodhje të theksuar. Nëse bëhet fjalë për ftohje, rekomandohet të kontaktoni mjekun nëse gjendja përkeqësohet, keni temperaturë shumë të lartë ose të dridhura, ose nuk ka përmirësim pas 10 ditësh. Antibiotikët nuk veprojnë ndaj viruseve që shkaktojnë ftohjen dhe nuk duhen përdorur pa udhëzim mjekësor.
Kur të rriturit duhet të kërkojnë ndihmë të menjëhershme
Tek të rriturit, shenja si vështirësi në frymëmarrje, dhimbje ose presion i vazhdueshëm në gjoks, konfuzion, marramendje e vazhdueshme, kriza, mungesë urinimi dhe dobësi e rëndë kërkojnë kujdes urgjent. Po ashtu, nevojitet vlerësim i shpejtë kur temperatura ose kolla përmirësohen dhe rikthehen më të forta, si edhe kur përkeqësohet një sëmundje ekzistuese.
Shenjat alarmuese te fëmijët
Te fëmijët, alarmi ngrihet kur ka frymëmarrje të shpejtë ose të vështirësuar, ndryshim ngjyre në buzë apo fytyrë drejt të kaltër, dhimbje të forta muskulore dhe shenja dehidratimi (si mungesa e urinimit për tetë orë, gojë e thatë ose mungesë lotësh në të qarë). Kërkohet urgjencë nëse fëmija nuk reagon normalisht, ka kriza ose temperaturë mbi 40°C. Për foshnjat nën tre muaj, çdo temperaturë prej 38°C ose më shumë kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor.
Kush rrezikon më shumë nga komplikacionet
Rreziku për pasoja nga gripi është më i lartë te personat mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët nën pesë vjeç (veçanërisht nën dy vjeç), si edhe te ata me astmë, diabet apo sëmundje të zemrës dhe mushkërive. Megjithatë, komplikacione serioze mund të shfaqen te kushdo, ndaj simptomat e rënda nuk duhen neglizhuar.











