RMV: 38 mijë gra fermere, por me të drejta të kufizuara në pronë dhe mbrojtje sociale
Në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara mbi 38 mijë gra fermere, por shumë përballen me mungesë sigurie financiare, pushimi lehonie, sigurimi shëndetësor dhe mbrojtje sociale. Në një panel në Strumicë u theksuan edhe pabarazitë në pronësi dhe trashëgimi.

Mbi 38 mijë gra janë të regjistruara si fermere në Maqedoninë e Veriut, por një pjesë e madhe e tyre përballet me mungesë të sigurisë financiare, të drejtës për pushim lehonie, sigurim shëndetësor dhe mbrojtje sociale. Çështjet u ngritën në panelin “Të korrat pa emrin e saj: Gratë rurale dhe puna e padukshme”, mbajtur në Europe House në Strumicë, në kuadër të fushatës “Vish ndryshimin” të iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve anëtare.
Sipas të dhënave të prezantuara, në vitin 2021 vetëm 4,1% e grave në zonat rurale figuronin si pronare të pronave, ndërsa në nivel kombëtar vetëm 12% e grave kanë në pronësi tokë. Këto shifra nënvizojnë hendekun mes kontributit të grave në bujqësi dhe të drejtave të tyre pasurore.
Në diskutim u trajtuan arsyet e pabarazive, përfshirë praktikat e trashëgimisë. Edhe pse vajzat kanë të drejtë ligjore të trashëgojnë, ato shpesh heqin dorë nga pjesa e tyre në favor të vëllezërve, si pasojë e traditave të kahershme dhe pritshmërisë se pas martesës do t’i përkasin një “familjeje tjetër”.
Pjesëmarrësit theksuan se këto pengesa tradicionale dhe sociale kontribuojnë në varësinë ekonomike të grave rurale dhe i kufizojnë mundësitë për investim e zhvillim në fermat e tyre.
Mesazhi kryesor i panelit ishte i qartë: kontributi i grave fermere duhet të shoqërohet me të drejta dhe mundësi të barabarta, veçanërisht në pronësi, sigurime dhe mbrojtje sociale.











