Rama udhëton të hënën në Austri, vizitë me nderime mes protestave studentore në Tiranë
Kryeministri Edi Rama do të largohet të hënën nga Shqipëria drejt Austrisë, ku pritet me nderime ushtarake nga kancelari Christian Stocker. Udhëtimi vjen ndërsa në Tiranë vijojnë prej pesë ditësh protestat e studentëve.

Kryeministri Edi Rama të hënën do të udhëtojë jashtë vendit, drejt Austrisë, ku sipas mediave vendase do të pritet me nderime ushtarake nga kancelari austriak Christian Stocker.
Vizita është konfirmuar nga mediat austriake, të cilat theksojnë kohën kur ajo zhvillohet: ndërsa në Tiranë po mbahen protesta të studentëve.
Prej pesë ditësh, studentë në kryeqytet kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Ata e akuzojnë për korrupsion, rritje të kostos së jetesës dhe favorizim të një grupi oligarkësh të lidhur me pushtetin.
Rama, nga ana e tij, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje dhe se do të vijojë punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nuk janë dhënë detaje të tjera mbi axhendën e udhëtimit, përveç pritjes me nderime zyrtare në Austri.











