Rama u përgjigjet studentëve: Kam dëgjuar thirrje për dorëheqje, jo kërkesa konkrete
Kryeministri Edi Rama tha se ka dëgjuar çdo ditë thirrje për dorëheqjen e tij nga studentët, por jo argumente apo kërkesa të qarta pse duhet të largohet. Ai theksoi se dialogu sy më sy mungoi dhe se disa mësime nga protestat po zbatohen.

Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj kritikave të studentëve se nuk janë dëgjuar, duke deklaruar se ka dëgjuar përditë thirrjet e tyre për dorëheqje dhe dënim, por jo kërkesa të artikuluara pse ai duhet të largohet.
“Ju kam dëgjuar çdo ditë... burg, burg, jep dorëheqjen. S’kam dëgjuar kërkesa,” u shpreh Rama, duke shtuar se protestuesit, sipas tij, nuk kanë kërkuar një takim për të argumentuar ballë për ballë arsyet e largimit të tij.
Ai theksoi se dëshiron dialog: “Ti do që unë të iki... por si do të iki unë? Hajde më bind pse duhet të iki unë ose të bind unë pse s’duhet të iki unë.”
Duke iu referuar periudhës së protestave, Rama tha se qeveria ka “dalë nga faza e parë e masivitetit të flamingove” dhe se mësimet e nxjerra po zbatohen “një e nga një”.
Sipas tij, e vërteta tashmë është “online” dhe transparente, ndërsa “të gjitha konspiracionet kanë rënë” duke iu referuar platformës që e quajti “Flamingo Mirror”. Ai shtoi se nuk dëgjon më për “Zvërnecin” pasi, siç tha, çdo gjë është e dukshme në internet.











