Rama: Protestat e fundit të inskenuara nga “ustallarë” jashtë vendit
Kryeministri Edi Rama i quajti protestat e ditëve të fundit një përpjekje të organizuar nga persona jashtë Shqipërisë. Ai bëri dallim mes pakënaqësive të të rinjve dhe veprimeve të grupeve të maskuara, duke folur edhe për përdorimin e të miturve në përplasje.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat e dhunshme të ditëve të fundit janë të inskenuara nga persona që, sipas tij, jetojnë jashtë vendit dhe nuk e duan Shqipërinë. Ai tha se kjo ndodh në një kohë kur vendi, sipas tij, po përparon dhe po i afrohet objektivave të veta historike.
Sipas Ramës, është e rëndësishme të dallohet mes pakënaqësive të rinisë dhe studentëve, të cilët kërkojnë më shumë mundësi dhe ndryshim, dhe atyre që ai i përshkroi si grupe të maskuara që po udhëheqin përplasjet në bulevard.
Kreu i qeverisë ngriti akuza edhe për përdorimin e të miturve në rreshtin e parë të protestave, duke theksuar se kjo e vështirëson reagimin e policisë ndaj akteve të dhunshme.
“Rinia është e inatosur, studentët duan më shumë… por janë pengje të atij grupit të zjarrit atje në krye, të atyre me maska, ku përdoren gjerësisht edhe të miturit,” u shpreh ai.
Rama e quajti këtë situatë një “përpjekje terrorizuese”, e cila sipas tij është e orkestruar për të penguar momentin pozitiv që po përjeton vendi.











