Rama përjashton dorëheqjen, paralajmëron masa ndaj protestuesve të maskuar
Nga zyra e tij në Kryeministri, Edi Rama deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen dhe paralajmëroi shtrëngim masash ndaj personave me maska në protesta. Ai ripërsëriti ofertat për studentët dhe premtoi transparencë për projektin e Zvërnecit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga zyra e tij në Kryeministri se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht tensioneve të fundit në vend. Ai tha se nuk do t’u hapë rrugë atyre që, sipas tij, nuk e kanë mundur në zgjedhje apo në debat publik.
Rama kundërshtoi thirrjet për largim duke vënë në pikëpyetje alternativat që do të pasonin një dorëheqje.
“Le të supozojmë se ia hapa rrugën kësaj, çfarë vjen pas kësaj? Vjen një qeverisje më e mirë? Vjen një Shqipëri europiane?”tha ai, duke shtuar se nuk do ta rikthejë vendin “në të kaluarën”.
Në të njëjtën dalje, Kryeministri tha se oferta e qeverisë për studentët mbetet e pandryshuar, duke përmendur angazhimin për transparencë mbi projektin e Zvërnecit dhe nisma për kredi pa interes për çiftet e reja.
Ai pranoi se ka qenë pas vendimit për të nxjerrë në terren forcat RENEA, duke e justifikuar me nevojën për ndërhyrje kur ka kërcënime.
“RENEA ka detyrë të dalë në momentin kur ka kërcënim… Doli dhe do të dalë,”u shpreh Rama.
Duke iu referuar protestuesve me fytyra të mbuluara, Rama paralajmëroi masa më të forta.
“Do të shtrëngohet rrethi ndaj atyre me maska. E ka edhe ligji që ti nuk mund ta fshehësh identitetin,”theksoi ai.











