Rama: Në rrezik nuk është pushteti im, por tryeza e negociatave me BE-në
Kryeministri Edi Rama tha se prioriteti i tij është ecja përpara e Shqipërisë drejt BE-së dhe jo pushteti personal. Ai paralajmëroi se pas thirrjeve për t’i “hapur rrugë rinisë” mund të rikthehet e kaluara.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se çështja kryesore për vendin është vijimi i negociatave me Bashkimin Evropian, duke theksuar se “nuk është pushteti im në lojë, por tryeza e negociatave”. Komentet u bënë teksa ai iu referua protestave dhe debatit publik për tranzicionin politik.
Rama u shpreh se drejtësia “ka çuar përpara njerëz të pushtetshëm” dhe se misioni i tij është që “Shqipëria të qëndrojë me kokën lart”. Sipas tij, përballë thirrjeve për t’i “hapur rrugë rinisë”, pyetja është “çfarë vjen pas kësaj”.
“Vjen Shqipëria në BE apo, pas kësaj, vjen e kaluara, për të cilën ne e kemi paguar atë haraç?”, u shpreh ai, duke nënvizuar se nuk ka interes personal për pushtet dhe se synimi i tij lidhet me procesin evropian të vendit.
Duke iu referuar klimës së informacionit në rrjete sociale, Rama foli për “kaosin e dezinformimit” dhe përmendi raste të të rinjve që, sipas tij, ndikohen nga modele të dëmshme online. “Ata fëmijë që u futën për të marrë iPhone janë viktima të kllounëve që u tregojnë paranë në Instagram,” tha ai.
Në përfundim, kreu i qeverisë theksoi: “Është e kotë të flas për këtë. Nuk është pushteti im në lojë, por tryeza e negociatave”, duke e lidhur debatin aktual me ecurinë e procesit me BE-në.











