Rama me tone të ashpra për protestat e studentëve: “komplet kokë bosh”
Gjatë një komunikimi live, kryeministri Edi Rama reagoi ndaj protestave të ditëve të fundit, duke hedhur poshtë si “marrëzi” pretendimet për përfshirje të shtetasve serbë dhe duke përdorur gjuhë të ashpër për lëvizje që i krahasoi me “Antifa”.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi live, përdori tone të ashpra ndaj studentëve dhe të rinjve që po protestojnë prej ditësh për largimin e tij, duke ironizuar pretendimet dhe teoritë që kanë qarkulluar rreth demonstratave.
Ai i quajti “marrëzi” spekulimet se mes protestuesve dhe personave të përfshirë në përplasjet me policinë mund të ketë shtetas serbë, duke theksuar se kjo frymë nuk do të përfshijë shoqërinë shqiptare, përfshirë edhe ata që kundërshtojnë qeverinë.
Rama bëri një krahasim me situata në Francë, Itali, Bruksel, Belgjikë dhe Spanjë, ku foli për lëvizje që i përshkroi si “Antifa” dhe neokomuniste. Në këtë kontekst ai përdori gjuhë të ashpër ndaj përfaqësuesve të tyre.
“Qershia mbi tortën e kësaj marrëzie janë ushtarët serbë që qenkan nën uniformën e atyre djemve dhe burrave… Kjo është marrëzi, por nuk është kolektive për fat të mirë, dhe nuk ka për ta përfshirë popullin shqiptar, as ata që janë kundër kësaj qeverie.”
“Ndryshe nga Franca, Italia, Brukseli e Belgjika, Spanja… të paktën ata i kishin mend në kokë, këta nuk kanë as mend fare, janë komplet kokë bosh.”
Duke rikujtuar periudha të vështira për vendin, ai tha se Shqipëria nuk është në të njëjtën situatë me ato vende, ndërsa foli edhe për lëvizjen e njerëzve jashtë vendit, duke nënvizuar se “nuk jemi në bunkerin e Enver Hoxhës”.











