Rama: Dron me eksploziv u neutralizua pranë Kryeministrisë; akuza për ndikim rus e iranian
Kryeministri Edi Rama deklaroi se para dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv që, sipas tij, synonte goditjen e Kryeministrisë. Ai lidhi ngjarjen dhe tensionet e fundit me ndërhyrje të aktorëve të huaj, duke përmendur Rusinë dhe Iranin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se para dy ditësh është neutralizuar një dron i pajisur me eksploziv, i cili, sipas tij, ishte i destinuar të godiste Kryeministrinë në Tiranë. Deklarata u bë pesë ditë pas protestave të dhunshme në kryeqytet.
Sipas Ramës, skenari i përmendur mund të kishte shkaktuar zjarr dhe pasoja të rënda në ambientet e brendshme të ndërtesës. “Përpara dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë, duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm… dhe një Zot e di me çfarë pasojash”, u shpreh ai, duke e quajtur këtë “një dorë të huaj”.
Kreu i qeverisë akuzoi gjithashtu Rusinë dhe Iranin për interferencë në zhvillimet politike në vend, duke thënë se ekzistojnë të dhëna për ndikimin e aktorëve të huaj në situatën pas protestave.
Rama iu referua edhe një figure ideologjike të lidhur me presidentin rus, Vladimir Putin, të cilin e akuzoi për justifikimin e agresioneve të Rusisë ndaj demokracisë dhe Perëndimit.
“Justifikuesi i Rusisë imperialiste foli dhe tha tani po, tani Shqipëria po tregon ngjyrën e vërtetë të saj… Kemi shumë të dhëna për interferencën e duarve të huaja. Një dorë tjetër është Irani. Kulmi i dezinformimit”,deklaroi ai.
Sipas tij, pas asaj që e cilësoi si “maskë” të protestave, fshihen aktorë me interesa kundër Shqipërisë. Detaje të tjera për neutralizimin e dronit nuk u bënë të ditura në këtë deklarim publik.











