Rama: Dron me eksploziv kundër Kryeministrisë u neutralizua; protesta “e shtyrë nga duar të tjera”
Kryeministri Edi Rama deklaroi se dy ditë më parë është neutralizuar një dron me eksploziv që synonte goditjen e Kryeministrisë. Ai tha se protesta e studentëve po instrumentalizohet nga grupe të dhunshme, ku përfshihen edhe të mitur.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se dy ditë më parë autoritetet kanë neutralizuar një dron me eksploziv, i cili sipas tij ishte destinuar të godiste oborrin e brendshëm të Kryeministrisë.
Sipas Ramës, pajisja synonte t’i vinte zjarrin hapësirës së brendshme ku ndodhet një strukturë druri, me pasoja të paparashikueshme. Ai nuk dha detaje të tjera mbi autorët apo procedurat e ndjekura për neutralizimin.
Duke iu referuar protestave të fundit të studentëve dhe të rinjve, Rama u shpreh se mirëkupton frustrimin e tyre dhe kërkesën për ndryshim, por theksoi se demonstratat po manipulohen nga “grupi i zjarrit” në krye.
“Me keqardhje them se kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard janë pengje të grupit të zjarrit në krye,” tha ai, duke shtuar se në tubime janë parë persona me maska dhe “përdoren gjerësisht edhe të miturit, si mburoja për të përparuar”.
Deklaratat e Kryeministrit erdhën në vijim të tensioneve të shfaqura në protestat e ditëve të fundit, ndërsa nuk ka informacion shtesë zyrtar mbi hetimet për dronin e pretenduar me eksploziv.











