Rama denoncon sulme ndaj policisë, flet për “grup zjarri” të maskuar dhe të paguar
Kryeministri Edi Rama dënoi hedhjen e gurëve, objekteve metalike dhe vidhave ndaj policisë, duke e cilësuar akt kriminal. Ai foli për një grup prej qindra personash të maskuar, që sipas tij nuk lidhen me studentët dhe janë të nxitur e të paguar.

Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me përplasjet në protesta, duke dënuar dhunën ndaj forcave të rendit dhe duke e cilësuar rrezik për jetën e policëve përdorimin e gurëve dhe objekteve të forta.
Sipas tij, persona të caktuar kanë qëlluar me gurë, “zara hekuri” dhe vida, duke rrezikuar seriozisht policët. Rama i quajti këto veprime kriminale dhe kërkoi vetëpërmbajtje.
“Ata që qëllojnë me gurë, zara hekuri e vidha për t’i nxjerrë sytë policisë, janë kriminelë... Vetëpërmbajtja është A dhe ZH.”
Ai shtoi se dëmet materiale nuk janë të vogla, por po riparohen, ndërsa paralajmëroi se do të flasë për “dëme të mëdha” të tjera në vijim.
Rama foli edhe për një grup prej rreth 200-300 personash të maskuar, të cilët, sipas tij, nuk kanë lidhje me studentët dhe janë “shtyrë e paguar” nga aktorë të ndryshëm për të nxitur dhunë.











