Rahoveci triumfon në Pejë dhe i jep fund serisë së humbjeve
Rahoveci mori fitoren e parë të sezonit në Superligën e Kosovës, duke mundur Pejën 95-106 në udhëtim, në xhiron e pestë. Mika Adams shkëlqeu me 31 pikë dhe 10 asistime.

Rahoveci arriti fitoren e parë në edicionin e ri të Superligës së Kosovës në basketboll, duke mposhtur Pejën 95-106 në udhëtim, në ndeshjen e xhiros së pestë.
Pas katër humbjeve radhazi, “Vreshtarët” kontrolluan shumicën e lojës dhe e drejtuan rezultatin në favorin e tyre që nga fillimi. Perioda e parë u mbyll 21-29, ndërsa e dyta 25-29, me mysafirët që shkuan në pushim me +12 (46-58).
Vendasit reaguan në çerekun e tretë, të cilin e fituan 27-24, por Rahoveci ruajti qetësinë dhe epërsinë. Në dhjetëminutëshin e fundit, miqtë ishin sërish më efikas (22-24), duke vulosur triumfin 95-106.
Lojtari më i mirë i takimit për Rahovecin ishte Mika Adams me 31 pikë dhe 10 asistime, duke realizuar një double-double, ndërsa Zion Fruster shtoi 18 pikë.
Te Peja, Robert Smith shënoi 28 pikë dhe Xavier Johnson 20, por këto paraqitje nuk mjaftuan për të shmangur humbjen, që ishte e treta radhazi për verdhezinjtë.











