Qytetar nga Korça sulmohet nga protestues në sheshin Skënderbej; i plagosur edhe një polic
Një qytetar i ardhur nga Korça u dhunua nga disa protestues në sheshin Skënderbej në Tiranë. Policia dhe drejtuesja e Policisë Bashkiake, Elona Lalaj, i erdhën në ndihmë, ndërsa u lëndua edhe një efektiv.

Një qytetar nga Korça u sulmua nga disa protestues në sheshin Skënderbej, në Tiranë. Personi u gjet i gjakosur dhe i shtrirë në tokë, ndërsa punonjësit e Policisë që ishin në terren për ruajtjen e rendit ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e parë.
Në vendngjarje ka asistuar edhe Elona Lalaj, drejtuesja e Policisë Bashkiake në Tiranë, e cila ishte pranë ekipit që po ndihmonte të lënduarin. Qytetari më pas u mor nga ambulanca.
Gjatë ndërhyrjes, është lënduar edhe një efektiv policie. Megjithëse i gjakosur në fytyrë, ai u pa duke ndihmuar qytetarin e dhunuar.
Nga pamjet e momentit dëgjohet një prej efektivëve t’i thotë të lënduarit:
“Shyqyr që dole gjallë.”
Rrethanat e plota dhe shkaqet e dhunës nuk dihen ende.











