PSG në vështirësi: Nuno Mendes pritet të mungojë kundër Barcelonës
Dy ditë para sfidës së Champions League në Paris, Nuno Mendes ka pësuar një dëmtim muskulor dhe pritet të mos jetë i gatshëm ndaj Barcelonës. Ende nuk ka afat rikthimi për mbrojtësin portugez.

Dy ditë përpara ndeshjes së Champions League në “Parc des Princes”, Paris Saint-Germain pritet të jetë pa Nuno Mendes përballë Barcelonës, pas një problemi muskulor të pësuar nga mbrojtësi portugez.
Burimet bëjnë të ditur se dëmtimi është në muskuj dhe ai ka shumë gjasa të mungojë në këtë përballje të rëndësishme, duke i krijuar një boshllëk prapa skuadrës së Luis Enriques.
Aktualisht nuk ka një afat të përcaktuar për rikthimin e Mendesit në fushë, ndërsa stafi mjekësor po vlerëson gjendjen e tij.
Barcelona vjen në Paris në formë të lartë, pasi është e pamposhtur në të gjitha garat këtë sezon, çka e bën sfidën edhe më të fortë për kryeqytetasit francezë.











