Protestues bën thirrje për largimin e Ramës dhe Berishës, kërkon shtet ligjor dhe ndryshim sistemi
Gjatë një prononcimi në një protestë, një qytetar akuzoi klasën politike për shkelje të Kushtetutës dhe politizim të policisë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ai u shpreh kundër dhunës dhe kërkoi drejtësi e dinjitet për policinë.

Gjatë një prononcimi në një tubim proteste, një qytetar kërkoi largimin nga politika të Edi Ramës dhe Sali Berishës, si dhe ndryshimin e sistemit politik në vend, duke akuzuar klasën politike për shkelje të Kushtetutës dhe mungesë të shtetit ligjor.
“Duam shtet ligjor, po ushtrohet terror ndaj shqiptarëve. Kanë shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët... Duam drejtësi, jo dhunë. Policia po përdoret nga politika”, deklaroi ai, duke e cilësuar klasën aktuale politike si të dështuar.
Protestuesi pretendoi se “Rama dhe Berisha janë bashkë” dhe kërkoi që të dy të largohen nga skena politike. Sipas tij, partitë duhet të “shkrihen”, ndërsa akuzoi Sali Berishën se ka “kapur” Partinë Demokratike dhe duhet “ta lirojë” atë.
Ai u ndal edhe te pagat e efektivëve të policisë, duke bërë krahasime me shpenzime që, sipas tij, lidhen me zyrtarë të lartë të qeverisë. “Polici paguhet 700 mijë lekë! Aq nuk bën as bidéja e Belinda Ballukut”, u shpreh ai. Po ashtu, kërkoi masa ligjore ndaj kryeministrit dhe sekuestrim të pasurisë së tij, duke theksuar nevojën për rikthimin e dinjitetit të policisë.
Në mbyllje, ai theksoi se është kundër dhunës gjatë protestave. “Nuk jemi të dhunshëm, unë kam ardhur me lule. Nuk duam gjakderdhje dhe vëllavrasje”, tha ai, duke paralajmëruar se çdo humbje jete do të përkeqësonte situatën.











