Protesta të dhunshme në Francë: 550 mijë në rrugë, mbi 1,200 arrestime dhe dhjetëra të plagosur
Demonstrata masive kundër mungesës së fondeve për arsimin u shoqëruan me përplasje në disa qytete të Francës. Autoritetet raportuan mbi 1,200 arrestime dhe 150 efektivë të plagosur; në Saint-Etienne një 17-vjeçar humbi dorën.

Të shtunën, më 17 tetor, protesta masive në disa qytete të Francës kundër mungesës së fondeve për arsimin dhe degradimit të shërbimeve publike degjeneruan në dhunë, me përplasje të shumta mes demonstruesve dhe policisë.
Sipas organizatorëve dhe sindikatës CGT, në rrugë dolën rreth 800 mijë persona, ndërsa Ministria e Brendshme raportoi 550 mijë protestues. Autoritetet bënë të ditur se janë kryer mbi 1,200 arrestime, shumica në Paris, ku mes të ndaluarve kishte edhe të mitur.
Në Paris, përplasjet kulmuan në Place de la République, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe tensionet zgjatën për orë të tëra. Protestues u përpoqën të çajnë drejt ministrive dhe pallatit presidencial, ndërsa u shënjestrua edhe selia e rrjetit televiziv CNews.
Dhuna u shpërnda edhe në qytete të tjera: në Limoges një zjarr, i dyshuar nga koktej molotovi, dëmtoi rëndë bashkinë historike të shekullit XIX; në Marsejë grupe me kapuçë sulmuan bashkinë dhe shkruan slogane anarkiste, ndërsa u raportuan plaçkitje; në Lion u dogj një zyrë turistike; në Lilë u dëmtua godina e bashkisë; dhe në Grenoble u evakuuan banorë pas rënies së një zjarri.
Një incident i rëndë u shënua në Saint-Etienne, ku një 17-vjeçar humbi dorën. Sipas raportimeve, i mituri u plagos nga një granatë e hedhur nga policia, të cilën dyshohet se e kapi me duar.
Kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi se 150 efektivë policie dhe xhandarë u plagosën gjatë protestave, ndërsa raporte të mëparshme flisnin për rreth 60, dy prej të cilëve në gjendje kritike. Presidenti Emmanuel Macron dënoi dhunën, duke theksuar se ajo “nuk ka vend në demokraci”, dhe u zotua për ndjekje penale të përgjegjësve.
Lecornu tha se askush nuk do të imponojë axhendën politike me dhunë dhe kritikoi lëvizjen e majtë Franca e Panënshtruar të Jean-Luc Mélenchon. Edhe ministri i Brendshëm akuzoi të majtën ekstreme për nxitje të dhunës.











