Protesta në Itali: Përleshje me policinë në Milano e Bolonjë, CGIL shpall grevë më 20 nëntor
Qytetet kryesore të Italisë u përfshinë sot nga demonstrata. Në Milano dhe Bolonjë pati përplasje me policinë, ndërsa sindikata CGIL njoftoi grevë të përgjithshme më 20 nëntor.

Në disa qytete kryesore të Italisë, përfshirë Romën, Milanon, Torinon dhe Bolonjën, u zhvilluan sot demonstrata me pjesëmarrje të gjerë dhe episode tensioni. Në Romë, sindikata CGIL, e cila numëron 4.5 milionë anëtarë, organizoi një marshim të madh dhe njoftoi se më 20 nëntor do të zhvillohet një grevë e përgjithshme, në të njëjtën ditë me një grevë të planifikuar të studentëve në mbarë Evropën.
Në Bolonjë, një grup i vogël protestuesish të rinj me fytyra të mbuluara u përplas me policinë, duke hedhur gurë dhe shishe. Forcat e rendit u përgjigjën me shkopinj gome dhe gaz lotsjellës.
Torino pa një mobilizim kundër rritjes së kostos së jetesës dhe çmimeve të karburantit, ku u dëgjuan slogane kundër partisë së ekstremit të djathtë “E Ardhmja Kombëtare”, të udhëhequr nga ish-gjenerali Roberto Vanacci.
Milano u bë skenë përleshjesh në sheshin qendror Duomo, ku një pakicë protestuesish hodhën bomba tymi dhe tavolina kafeje drejt policisë. Autoritetet përdorën shkopinj gome dhe ujë për të shpërndarë turmën.
Sipas të dhënave paraprake, ka të plagosur dhe të paktën një vajzë e re si edhe një oficer policie kanë marrë lëndime në kokë. Deri tani janë kryer 50 arrestime. Turistë dhe banorë në zonën e Duomos u strehuan në dyqane dhe godina përreth për t’i shpëtuar përplasjeve.











