Prishtinë: Çmimi i druve ngrohës arrin 65–70 euro për m³; qytetarët e quajnë të papërballueshëm
Në tregun e Prishtinës, një metër kub dru po shitet 65–70 euro. Shitësit e arsyetojnë çmimin me mungesën e punëtorëve, ndërsa qytetarët ankohen për koston e lartë.

Në tregun e Prishtinës, çmimi i druve për ngrohje ka arritur nga 65 deri në 70 euro për metër kub. Shitësit thonë se ky nivel është i arsyeshëm dhe se kërkesa mbetet e lartë, ndërsa shumë qytetarë e konsiderojnë të papërballueshëm.
Dy tregtarë në kryeqytet konfirmuan se ahu dhe bungu po shiten me të njëjtin çmim, 65–70 euro për m³, duke theksuar kërkesën e vazhdueshme. Ata e lidhin çmimin me kostot e punës dhe mungesën e punëtorëve.
“70 euro metri i druve... mu shit po shiten boll... Më së liri janë mbet drutë se s’ka punëtorë,” tha një shitës, duke shtuar se niveli i çmimit ishte i ngjashëm edhe vitin e kaluar.
“Metri 65–70 euro, edhe ahu edhe bungu, si njëjtë shiten... ashtu njëjtë edhe sivjet,” u shpreh një tjetër shitës.
Qytetarët shprehen të pakënaqur me çmimet aktuale. Marad Dushi tha se 70 euro për m³ është e papërballueshme në raport me pagat dhe rritjen e çmimeve.
“Ka qenë mirë me qenë 45–50... përndryshe është i papërballueshëm për kushtet që kemi,” tha Dushi, duke e vlerësuar koston “shumë të lartë”.
“Me qenë 60 prapë bën deri 65 euro, e 70 euro shumë janë,” tha edhe qytetari Enver Ahmeti.
Nga tregu raportohet se një ton pelet kushton rreth 380 euro. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimi mesatar për 1 m³ dru në shtator 2025 ishte 57,68 euro.
Për disa lagje të Prishtinës, alternativë mbetet ngrohja qendrore nga Termokosi, i cili nisi sezonin më 15 tetor. Dy vite më parë, Ministria e Ekonomisë kishte ofruar subvencione për pajisje efiçiente ngrohjeje për shtëpi dhe banesa.











